Lumi Vjosa- i bukur,i paparashikueshëm,i egër, dhe shumë joshës me mospërfilljen e tij. “I fundit lum I egër në Europë”-tha L.Di Caprio. Shkova! Sepse aty kam mësuar notin 45 vjet më parë. Çunat luanin futboll në ishull rëre, unë notoja në rrymë të kundërt që të rrija në vend. Në kanalin Levan-Fier, uji i Vjosës kërcente mbi një portë betoni. Çimi i çmendur më mori përdore dhe u hodhëm në shtëllungën e ujit si shkarpa,u rrotulluam nën ujë si lavatriçe.Vdekja përtoi të më merte dhe ja ku shkoj sot per lundrim me Albania Rafting Group. Të thuash jam nga Vlora apo Përmeti, je km larg, por kur thua jam larë në Vjosë se si të duket sikur je nga një lagje. Sfidues ditën, por I frikshëm natën. Bukuri e shthurrur në verë, përmbytës në dimër.
“Të shkoje natën të mbushje një pagure me ujë Vjose përmes pyllit e shkurreve që feksnin me qindra fytyra përbindshash, ishte stërvitja që na bënte babai për tu rritur”- thotë poeti i famshëm Petrit Ruka.
Sot ishte ndryshe. Mbërritëm në Përmet ora 9.00. Një makinë sportive "Albania Rafting Group" u shfaq, na udhëhoqi me makinat tona jashtë Përmetit për 10 min. U futëm në një shesh ku nëpër dhoma u zhveshëm me roba banjo. Në trup veshëm kostum gome nga maja e këmbëve deri në sup. Aty mora vesh se kostumi të mbronte në ujë nga temperatura por edhe goditjet nëpër gurë.
Udhëtuam me furgon përgjatë Vjosës në rrymë te kundërt për 13 km. Aty fillon arratisja e parë nga qyteterimi.
Vjosa e heshtur, rrjedh sikur nuk e ka mendjen. Gomonet presin. Zhytemi për fresk.Hipim!Gjëja e parë që vura re: Vjosa me egërsinë e saj, zor se i lë njerëzit ta ndotin. Tjetra! kaluam pranë një shkembi fiks 10 cm pa u përplasur,pastaj tjetri, pastaj dhjetë të tjerë ju shmangeshim për një çikë. Aty pashë se nuk ishim me fat, por “Guida” shoku-miku ishte profesionist. Vjosa na thithi në rryma të forta, ne bërtisnim. Ulërima fillonte me llahtar “Uuuuu” dhe mbaronte me triumph “Aaaaa”. I qeshnim njeri tjetrit “hehehe”. Miq! nuk krahasohet me parqet e lodrave që imitojnë lumenj. Guida na rrëfente për rreziqet e dimrit,zgavrat që ne bëjmë foto, në dimër janë gracka. Guida na jepte teknika shpëtimi.
Ndaluam! Një kokërr molle na u zgjat, e shijova sikur sa u këput nga pema nga dora e Evës.
Dy çaste të paharruara: Zbritëm në breg, dhe me kokore,kostum gome,jelek, do të kalonim rrymën deri në mes, do të notonim përtej. Unë i mençuri me sandallet e “Jezusit”- thotë im bir, mezi shkelja nëpër gure, shtyja gocen 10 vjeç në mes. Aty ajo me shtrengoi dhe tha “Jo! Jo! Mos më lësho!”
Matanë priste “Guida” ! E vërvita gocën në rrymë, ja shtyva dorën. U pendova! Ajo e vetme në shtrat të Vjosës, filloi luftën për mbijetesë. Notoi 6 metra, e kapi dora e Guidës, doli në breg.Një kënaqësi më drithëroi trupin.”Goca mori “Diplomën” e trimërisë. Por ky ishte fillimi. Guida na ngjiti nëpër shkëmbinj me lartësi të ndryshme. Poshtë thellësia 20 m. Unë kisha “këputur mish” 3 ditë më parë.U hodhën gra, burra, unë thoja "kam këput mish!" U hodh vajza, më erdhi turp,u ngjita pas Guidës, i thoja "sa jam ngrit nga krevati".Kur shoh përposhtë u tmerrova. M’u kujtua doktori “Këto 5 ditë rri në shtëpi”. Uneë isha 10 m mbi shkëmb. Mbylla sytë. Imagjinova veten në barrelë, përtej pashë ambulancën që ecte pa shofer.U vërvita.Mu duk vetja shtatëzanë.Dal mbi ujë. Vjosa më pranoi. Mesin nuk e ndjeja.Dola! "Ok!Fizioterapi”- thashë
“Kemi Hydro speed”-më thane guidat. Troç, disa govata plastike që hipje, lëshoheshe në rrymë dhe në fund “guida” të hidhte një litar. Po sikur mos ta kapje? Të gjithë e kapën! Edhe goca ime! Adrenalinë! Arti më ka bërë kureshtar si llupës. “Ore a ju është mbytur njeri?” –Asnjë herë!-më thanë. –Vec kemi shpëtuar ndonjë endacak. “A bëni para?” –Hmm jemi në fazë investimi.Çdo gjë që marrim e blejmë mjete.M’u duk vetja aksioner. Mjafton të paguash shqip.
Në fakt aty pranë kaluan dy gomone plot eufori. Vura re që nuk kishin kostume gome por vetem jelek. U dashka siguruar. Këto grupe a janë të çertifikuar? I yni po! Madje djemtë bënin gara në kampionate internacionale në lumenj të botës.
Një fjalë të urtësh thotë: “Në një lum nuk kalon kurrë dy herë”. E pra! Vjosa në dimër apo me prurje, hmm! Nuk është i njëjti lum! Besoj!
Kush lundron një herë në Vjosë, ka vrarë 100 Frikëra.
Kush laget në Vjosë s’ka frikë nga rrebeshi në Tiranë.Vret stresin! Sapo lundron me të panjohur,pas 10 lopatash duken fytyra të njohura. Kur zbret flet sikur i ke komshinj të vjeter.
I lumtur që mora fëmijët në lumin e fëmijërisë time. Rafting është edhe sport, edhe turizëm edhe aventurë. N.q.s poeti ynë në fëmijeri mbushi paguren për të vrarë frikën, sot fëmijët tanë lundrojnë mbi legjendat e Vjosës 2 orë e 30 min, 13 km.
Së fundi: Në Shqipëri paska kaq shumë që e bëjnë ketë vend të bukur, që nga Mrizi i Zanave që të argëton stomakun,tek Albania Rafting Group që legjendat ti bën Lojra, deri tek zhytjet në det dhe Valbona që pret. Thonë n.q.s fle një natë në Alpe “jeton100 vjet”. Jeta është më bukur se dikur! Guxo të pamundurën! Zbulo të pa imagjinueshmen! Të gjithë që duruat rrëfimin tim, ju dërgoj “NJË VJOSË ME PEËRQAFIME!”